Llapi është treguar skuadër e fuqishme kundër Dritës.
Llapjanët në ‘Zahir Pajaziti’ mundën liderin e tabelës, me rezultat 4-1, në derbin e javës së 14-të në elitën e futbollit tonë.
Trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina pas ndeshjes tha se është i kënaqur me lojën e të besuarve të tij. Tekniku llapjan theksoi se skuadra e tij sot tregoi Llapin evropian.
“Gjithmonë kam thënë që duhet të jemi të durueshëm. E kam ditur se duhet kohë pas ndryshimeve në skuadër. Sot treguam Llapin evropian. Llapi nuk e ka problem që ta synoj Evropën. Me organizimin që ka Llapi duhet çdo herë të luaj në Evropë”, ka thënë Batatina.
Ndërkaq, homologu i Batatinës, Ardian Nuhiu e ka marrë përgjegjësinë për humbjen Dritës në udhëtim te Llapi. Ai ka lavdëruar “Intelektualët” për paraqitjen dhe mbështetjen.
“Madhështia e një tifozërie tregtohet kur ke vështirësi. I falënderoj ‘Intelektualët’ për përkrahjen. Duhet të tregohemi të mëdhenj dhe të dëshmojmë që kemi karakter duke u ringritur. Përgjegjësinë për humbjen e marrë unë si trajner”, ka thënë Nuhiu.
Drita mbetet lidere me 30 pikë, katër më shumë se Ballkani që ka tri sfida më pak të luajtura. Llapi renditet i gjashti me 16 pikë.