Robert Lewandowski duket i lumtur te Barcelona. Edhe pse eliminimi nga Liga e Kampioneve për herë të parë për të pas 10 sezonesh ia ka prishur disi humorin, polaku nuk ankohet.
Madje, e ka bërë të qartë se e priste që sezoni i tij i parë në “Camp Nou” të ishte jo i lehtë. Sulmuesi i Barcelonës është lënë jashtë nga trajneri Ksavi për takimin e fundit në grup në Ligën e Kampioneve kundër Plzenit sonte në mbrëmje për shkak të një shqetësimi.
Por më shumë duket si një shpërblim për rendimentin e jashtëzakonshëm të tij deri më tani për skuadrën “blaugrana”. Leva ka dhënë një intervistë për gazetën “La Vanguardia”, duke u ndalur në një sërë temash, që nga vendimi për t’iu bashkuar katalanasve.
“Jam në klubin që dua dhe ku po ndihem komod. Nëse ndihesh i tillë, gjithçka tjetër bëhet më e lehtë”, ka thënë Lewandowski.