Presidenti i Flamengos ka thënë se Cristiano Ronaldo do të kishte vend vetëm në bankën rezervë, teksa qeshi nga spekulimet për një lëvizje të klubit për transferimin e sulmuesit.
Portugezi po vazhdon të jetë i lidhur me një largim nga Manchester United, pasi nuk është se po kalon momente të mira.
Flamengo, që në skuadër ka emrat e njohur të futbollit si Arturo Vidal, David Luiz, Diego dhe Filipe Luis, u tha se po përgatitej për një lëvizje për Ronaldon.
Megjithatë, presidenti i klubit brazilian, Rodolfo Landim, ka mohuar kategorikisht këto raportime.
“Nuk e di nga erdhi, por ata kanë shumë kreativitet”, tha ai për “Papo Reto”.
Tutje, i pari i klubit të Flamengos tha se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk do të mund të ishte në formacionin e titullarëve.
“Së pari, unë pyes: Për vendin e kujt? Për të qenë në stol. Nga ajo që kam lexuar në internet, nuk e di nëse është e vërtetë apo jo, atij do t’i ishin ofruar 242 milionë dollarë për një kontratë dy-vjeçare. E ndarë me 24 muaj, kjo është rreth 10 milionë dollarë në muaj. Flisni për një vlerë shumë më të madhe se e gjithë lista e pagave të Flamengos për Cristiano Ronaldon.
Të jesh zëvendësuesi i Pedros apo Gabigolit [Gabriel Barbosa]? Nuk mundem… askush këtu nuk do të çmendet”, shtoi Landim.
Ndryshe, Cristiano Ronaldo ka kontratë të vlefshme me Manchester Unitedin deri më 30 qershor 2023.
Në marrëveshjen aktuale mes 37-vjeçarit dhe klubit anglez ekziston edhe opsioni për zgjatje të kontratës edhe për një tjetër sezon..