Reja flet para miqësores me Katarin, komenton listën e lojtarëve të ftuar

Futboll

Reja flet para miqësores me Katarin, komenton listën e lojtarëve të ftuar

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 15:42
Edoardo Reja

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka folur sot në një konferencë për media para miqësores me Katarin, ku komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar dhe bëri një analizë të tyre.

Reja tha se këta lojtarë e meritojnë të luajnë me Shqipërinë, kurse disa prej tyre i kanë lënë mbresa shumë të mira.

Po ashtu, trajneri i “kuqezinjve” theksoi se Shqipëria ka shumë lojtarë të vlefshëm, ndërsa u ndal edhe te pengesa e klubeve që nuk i lejojnë lojtarët të vijnë në këto miqësore për shkak se nuk janë data zyrtare të UEFA-s.

Ndryshimi i miqësores kundër Katarit nga ajo me Arabinë Saudite?

“I kam parë në disa ndeshje që ata kanë luajtur dhe duhet të them se do të jetë një test shumë i rëndësishëm edhe për ne që të bëjmë një vlerësim për këta që janë këtu. Disa prej tyre kanë treguar cilësi shumë të mira ndaj Arabisë Saudite dhe unë uroj që të vazhdojnë të përmirësohen në raport me atë që kemi treguar ndaj sauditëve. Ky është një test i rëndësishëm dhe do të bëjmë padiskutim vlerësime. Shpresoj shumë që disa prej tyre të më japin garanci dhe të kem mundësi që t’i grumbulloj për ndeshjet e ardhshme në skuadër”, tha Reja.

Sa ndryshon kjo Kombëtare nga Kombëtarja A?

“Në këtë ndeshje me Katarin nuk dua të bëj si me Arabinë Saudite, ku kanë luajtur shumë lojtarë por vetëm nga një pjesë loje. Ndonjë lojtar dëshiroj që ta aktivizoj më gjatë në lojë duke parë që shumë shpejt vjen dhe ndërprerja e kampionatit shqiptar dhe kanë mundësi të rikuperohen. Sigurisht që një pjesë loje është e rëndësishme për të bërë disa vlerësime por sigurisht që kur luan një orë ke mundësi të tregoj diҫka më shumë. Tani kam një ide më shumë për disa prej tyre që mund të jenë pjesë e Kombëtares A në të ardhmen dhe unë ti kem në dispozicion”, tha Reja.

Po ashtu, Reja e vlerësoi edhe kampionatin shqiptar, si dhe atë se çfarë mund të përmirësohet për të arritur nivele më të larta.

“Kampionati shqiptar është shumë i vlefshëm në aspektin e forcës, agresivitetit dhe temperamentit. Ajo që kam dalluar është që ҫalon disi në aspektin teknik, te spostimi i lojës por kjo jo për të qënë kritik. E keni të qartë se edhe në Itali ka shumë njerëz që thonë që nuk është në nivel të njëjtë me kompeticione të tjera sepse në përballjet me skuadrat gjermane, spanjolle dhe angleze nuk arrijnë të jenë kompetitiv sepse thonë që kampionati italian nuk është më ai i disa viteve më parë. E njëjta gjë thuhet edhe për kampionatin shqiptar. Nëse do të përmirësohen në aspektin teknik, sepse lojtarët nuk është se nuk janë, do të jenë në një nivel tjetër”, tha Reja.

“Do të duhet të përmirësohet më shumë njohja në aspektin futbollistik, të filozofisë së lojës dhe atë taktik. Për këtë duhet të punojmë shumë me sektorin e të rinjve. Për mendimin tim është aty pika ku duhet të ndërhyjmë sepse këto që janë të formuar tashmë janë gati. Unë personalisht kam parë lojtarë të gatshëm në aspektin fizik dhe kanë prezencë fizike vetëm se i mungon eksperienca e një kampionati më të fortë për tu pjekur akoma më shumë. Nëse rritet e gjithë lëvizja futbollistike shqiptare do të ishte diҫka e jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë duhet të bëjmë vlerësimet edhe në raport me skuadra të tjera Kombëtare”, shtoi më tej ai.

Reja foli edhe për lojtarët që nuk kanë marrë ftesë për miqësoren ndaj Katarit.

“Sigurisht që ka edhe lojtarë të tjerë të vlefshëm në kampionatin shqiptar, por unë kam zgjedhur ata që unë mendoj se mund të jenë më të përshtatshëm dhe që mund të na shërbejnë më shumë për një miqësore të tillë. Sigurisht që në të ardhmen do të kemi mundësi dhe shpresoj që të kemi edhe miqësore të tjera e t’i japim shansin edhe lojtarëve të tjerë. Por për momentin kam menduar që ky është grupi dhe këta janë lojtarët që janë më të përshtatshëm dhe që mund të na vlejnë ne sa i përket të ardhmes”, tha Reja.

“Sigurisht që një problem tjetër është edhe fakti që kjo nuk është datë e UEFA-s dhe klubet nuk mund t’i japin lojtarët shumë kollaj. Ne kemi pasur shumë lojtarë në listën tonë, mund të jenë rreth 15 lojtarë që do të donim t’i kishim pasur në këtë ndeshje, por për shkak se nuk është një datë e UEFA-s, klubet nuk i kanë lejuar”, shtoi ai.

Shqipëria do ta luajë miqësoren me Katarin më datën 9 nëntor, respektivisht të mërkurën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat