Krahas punës së madhe që po bëhet në ekipin e parë, pa u fshehur nga synimi për rezultate maksimale, kryetrajneri i ekipit të Prishtinës, Ismet Munishi, po mendon edhe për lojtarët e ekipeve zinxhir.
Në 14-të ndeshjet e zhvilluara deri më tash, Munishi dhe pjesa tjetër e stafit të trajnerëve, Debatik Curri, Armend Simnica e Ahmet Beselica i kanë përfshirë në listën e ngushtë për ndeshje disa lojtarë të rinj e me shumë talent që vijnë nga ekipi i juniorëve që drejtohet nga Agim Maliqi.
Sulmuesi 17- vjeçar Igball Jashari ishte në protokol dhe gati për lojë ndaj Trepçës '89 sikurse portieri Butrint Bulliqi (19-vjeçar) ishte në bankë ndaj Malishevës.
Një tjetër lojtar premtues është edhe Korab Luma, i përfshirë për takimin ndaj Dukagjinit dhe gati për “aksion”. Edhe Luma është 17-vjeçar.
Mbrojtësi Andi Salihu (19) ishte në bankinë për ndeshjen e fundit ndaj SC Gjilanit.
Edhe mbrojtësi i ri Ardi Ajdini (20) është përfshirë në disa ndeshje
Një tjetër lojtar premtues është edhe Endit Baholli (22) i ardhur nga 2 Korriku, i cili tashmë ka debutuar me ekipin.
Portier i dytë të “bardhekaltrit” është 22-vjeçari Egzon Beslimi, të cilit sigurisht se do t’i jepet mundësia.
Munishi premton edhe ardhje të reja nga ekipi i juniorëve, por edhe nga klubet e tjera e Shkollat e Futbollit në vend.
FC Prishtina po punon edhe për disa projekte për talentët e rinj, të cilat do të zbulohen së shpejti.