Atë që politika ka dështuar ta bëjë për vite e vite me radhë është duke e bërë më së miri futbolli. Pas kualifikimit historik në grupet e Euro 2016, Shqipëria e vendos përsëri veten në hartën e Europës përmes futbollit.
Këtë herë nuk është Kombëtarja, por janë vajzat e Vllaznisë ato që kanë shenjuar një sukses historik për futbollin tonë. Vllaznia këtë sezon është kualifikuar për të parën herë në Champions League-n e femrave. Në grupe ka gjetur klube gjigante si Reali i Madridit, Chelsea dhe PSG-ja, çka e bën jehonën dhe vëmendjen ndërkombëtare më të madhe.
Media spanjolle e dedikuar futbollit të femrave, “Regatefeminino” i ka kushtuar një artikull suksesit të vajzave të ekipit shkodran. Përmes tyre, kanë arritur të hyjnë në një rrugëtim historik të vendit tonë.
“Vllaznia, një rreze drite për futbollin shqiptar”, është titulli me të cilin hapet artikulli, që më tej nis me paragrafin:
“Vllaznia, futbolli dhe Shqipëria. Rrallëherë bota e sportit e ka vënë vendin shqiptar në hartë dhe KFF Vllaznia Shkodër e ka bërë këtë duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të Champions League-s. Në një vend të shënuar nga një e kaluar e errët, futbolli duket se ofron një rreze shprese.
Nuk do të jetë e lehtë, sepse fati i dha Kuqebluve një grup shumë të komplikuar. Megjithatë, sfida e madhe tashmë është përmbushur. Tani do të jetë koha për të shijuar dhe jetuar përvoja të reja që hapen drejt një bote që nuk shkon prapa dhe që vazhdon të evoluojë. Ndërkohë, në Shqipëri, orët duken ende të mbërthyera në kohë të tjera“.