​Blatter: Gabuam që ia besuam Katarit organizimin e Kupës së Botës

Futboll

​Blatter: Gabuam që ia besuam Katarit organizimin e Kupës së Botës

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 14:31
Sepp Blatter

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka thënë se vendimit për t’ia dhënë Katarit organizimin e Kupës së Botës 2022 ishte një gabim.

86-vjeçari ishte kreu i organit qeverisës botëror të futbollit kur Katari fitoi në mënyrë të diskutueshme votimin për këtë ngjarje në vitin 2010.

Por Blatter, i cili u detyrua të jepte dorëheqje në vitin 2015 pasi FBI hapi hetimet për korrupsionin e dyshuar në FIFA, tani pranon se Katari është shumë vend i vogël për të organizuar turneun dhe mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin fituar këtë organizim.

“Zgjedhja e Katarit ishte një gabim”, tha Blatter për gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”.

“Në atë kohë, ne në fakt ramë dakord në komitetin ekzekutiv që Rusia të merrte Kupën e Botës 2018 dhe SHBA-të atë të vitit 2022. Do të ishte një gjest paqeje nëse dy kundërshtarët politikë prej kohësh do të kishin organizuar Kupën e Botës njëri pas tjetrit.”.

“Katari është një vend shumë i vogël. Futbolli dhe Kupa e Botës janë shumë të mëdha për këtë.”, tha në fund Blatter.

Kupa e Botës 2022 do të fillojë më 20 nëntor dhe ndeshje hapëse do të jetë ajo ndërmjet Katarit dhe Ekuatorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat