Neymar ka mbi supe peshën e një kombi të tërë

Futboll

Neymar ka mbi supe peshën e një kombi të tërë

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 14:51
Neymar

I nxitur nga zhgënjimet e kaluara në Kupën e Botës, Neymar është përgatitur prej një kohe të gjatë për t’u siguruar që të jetë në formë maksimale sportive. Numri 10 duhet ta udhëheqë Brazilin në turneun e këtij viti, në Katar.

Tani në moshën 30-vjeçare, lojtari më i shtrenjtë në botë shpesh ka luftuar për të përmbushur pritshmëritë dhe është penguar nga lëndimet, që kur iu bashkua Paris Saint-Germain nga Barcelona më 2017 për një rekord prej 222 milionë euro.

Nuk ka kaluar shumë kohë qysh kur Neymar tha se “Katar 2022” mund të ishte Botërori i tij i fundit, pasi luftoi me kërkesat për të luajtur futboll në nivelin më të lartë. Forma dhe qëndrimi i tij në tre muajt e parë të këtij sezoni premtojnë sukses në përpjekjet e Brazilit për të fituar kurorën e gjashtë të Kupës së Botës.

Pasi u raportua për stërvitjet parasezonale një javë më herët se sa pritej, Neymar ka shënuar 15 gola në 19 ndeshje deri më tani për PSG-në, duke ofruar gjithashtu një mori asistesh për lojtarë si Lionel Messi dhe Kylian Mbappe. “Ai po fluturon. Është fryt i gjithë përgatitjes që ka bërë”, – tha trajneri i kombëtares Tite së fundi për superyllin e Brazilit.

Neymar do të shkojë në Katar me shpresën për të shënuar së paku dy gola, që të barazojë Pele (77 gola) si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Brazilit. 8 nga 75 golat e Neymar për vendin e tij erdhën gjatë fushatës së jashtëzakonshme kualifikuese të Brazilit për Kupën e Botës, pasi mbeti i pamposhtur në 17 ndeshje, duke përfunduar në krye të grupit të vetëm kualifikues të Amerikës së Jugut.

Ai shënoi 8 gola të tjerë dhe zhvilloi marrëdhënie premtuese me sulmues të tjerë si Richarlison e Lucas Paqueta. “Me Neymar në formë të mirë, ne kemi një shans të madh për ta fituar Kupën e Botës, sepse është një lojtar që me të vërtetë mund të bëjë diferencën në fushë”, – tha për AFP-në braziliani Cafu.

Neymar mund të ushqehet nga dëshira për të fituar më në fund një “Top të Artë”, por mbi të gjitha do të jetë i vendosur të largojë kujtimin e Botërorit të tij të mëparshëm. Botërori i Brazilit më 2014 përfundoi me një poshtërim katastrofik 7-1 në shtëpi ndaj Gjermanisë, në gjysmëfinale.

Megjithatë, kjo erdhi vetëm pasi Neymar, duke mbajtur peshën e një kombi mbi supet e tij, pësoi një thyerje kocke në shpinë nga ndërhyrja e ashpër e Zuniga në humbjen ndaj Kolumbisë. Katër vite më vonë, Neymar shënoi në fitoret ndaj Kosta Rikës dhe Meksikës, por skuadra e Tite u mposht në çerekfinale ndaj Belgjikës.

Zhgënjimi ndërkombëtar i Neymar u shtri edhe në Kupën e Amerikës 2019, të cilën Brazili e fitoi pa të, pasi ai po rikuperohej nga një dëmtim i ligamentit të kyçit të këmbës. Ai u kthye, teksa Brazili priti vitin e kaluar “Copa America”, por nuk mundi ta evitonte humbjen e finales ndaj Argjentinës në “Maracana”.

Deri më tani, suksesi me vendin e tij ka qenë i kufizuar në Kupën e Konfederatave 2013 dhe një medalje të artë olimpike në Lojërat e Rios më 2016. “Shpresoj që të jetë në formë të frymëzuar në mënyrë që Brazili të ketë një shans më të madh për të arritur në finale”, – tha Careca për AFP, i cili luajti për Selecao në Kupat e Botës 1986 dhe 1990.

Megjithatë, forma e shkëlqyer e Neymar në fushë vjen pasi ai vazhdon të përbëjë tituj kryesorë jashtë fushës. Prokurorët në Spanjë kohët e fundit tërhoqën akuzat për korrupsion dhe mashtrim kundër Neymar e disa të tjerëve, të dalë para gjyqit për lëvizjen e tij nga Santos te Barcelona në vitin 2013.

Ndërkohë, ai u kritikua edhe pasi doli në mbështetje të kandidatit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro në fushatën zgjedhore presidenciale braziliane. “Do të ishte e mrekullueshme nëse Bolsonaro rizgjidhet president, kampionët e Brazilit dhe të gjithë do të ishin të lumtur”, – tha ai ndërsa u bashkua në një tubim fushate në internet nga Parisi.

Neymar premtoi se do t’ia kushtonte Bolsonaro golin e tij të parë në Katar, i cili humbi zgjedhjet ndaj kandidatit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva. Në një vend të polarizuar, të shënuar nga katër vite nën presidencën e Bolsonaro dhe pasojat e pandemisë së Covid-19, e cila ka shkaktuar pothuajse 700.000 vdekje, shumë vëzhgues kanë qenë kritikë ndaj vendimit të Neymar për të mbështetur presidentin në largim.

Gjithsesi, Neymar është i fokusuar tek objektivi i tij në Kupën e Botës: “Unë kam një ëndërr, për ta fituar atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat