Struga Trim Lum është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.
Futbollistët e Strugës treguan lojë më të mirë duke e mundur me rezultat 2.0 Bregallnicën e Shtipit.
Skuadra shqiptare, lider në kampionat dhe tani është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut,
“FC Struga TRIM & LUM ka siguruar një biletë për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, pasi sot si vendas mundëm Bregallnicën me rezultatin 2:0.
Ekipi ynë ishte dukshëm më i mirë se kundërshtari gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa këtë e konfirmuam edhe me dy golat e shënuar, nga një në secilën pjesë.
Autori i golit të parë ishte Edis Maliqi, edhe atë vetëm pas dy minutave lojë. Për Maliqin ishte ky goli i parë me fanellën e F.C. Struga TRIM & LUM këtë edicion, pasi i njëjti na u bashkua gjatë kësaj vere.
Goli i tij edhe pse i shënuar që në fazën e hershme, doli të jetë i vetmi gjatë 45 minutave të para, ku kishim edhe disa raste shënimi, mirëpo pa arritur që ti konkretizojmë.
Në pjesën e dytë fotografi e njëjtë në fushën e blertë, me F.C. Struga TRIM & LUM që sulmonte dhe që vazhdimisht kërkonte golin, i cili erdhi në minutën e 59-të, këtë herë me autorë Bunjamin Shabani.
Për kapitenin tonë ishte ky goli i parë këtë edicion në kuadër të ndeshjeve të Kupës, ku më parë eliminuam Vardar Negotinën dhe Rabotniçkin.
Me eliminimin e Bregallnicës, tashmë jemi në gjysmëfinale, ndeshje këto që në program janë në muajin prill të vitit të ardhshëm. Deri atëherë i gjithë fokusi ynë do të jetë i përqendruar në ndeshjet kampionale, ku gjithashtu jemi në pozitë të volitshme, pasi jemi të parët pas 14 xhirove të zhvilluara.
Kur jemi tek ndeshjet kampionale, vlen të theksohet se të shtunën Struga Trim Lum në terren vendas do të mirëpret Shkëndijën në derbi ndeshjen e javës së 15-të”, njofton FC Struga.