Josip Brekalo bëri një sezon mjaft të mirë me Torinon vitin e kaluar, ku ishte i huazuar nga Wolfsburgu dhe luajti 32 ndeshje, duke shënuar edhe 7 gola por në verë u bë protagonist, pasi refuzoi transferimin përfundimtar te klubi italian.
Arsyetimi i fantazistit kroat ishte se dëshironte të luante në Gjermani, te Wolfsburg, për të pasur më shumë shanse që të grumbullohej për Botërorin e Katarit, megjithatë ky vendim pati pasoja krejtësisht të kundërta.
Në Gjermani Brekalo ka luajtur vetëm 40 minuta në total, në 40 ditët e fundit dhe kjo ka bërë që trajneri Zlatko Dalic të mos e përfshijë në listën finale të 26 futbollistëve që do të marrë me vete në Katar.
Vetë trajneri kroat pati deklaruar se Brekalo është një element i rëndësishëm, por fakti që nuk po luan, e ka penalizuar jo pak dhe padyshim që 24 –vjeçari tanimë është penduar që nuk zgjodhi Torinon, ku do të kishte marrë minuta mjaftueshëm për të fituar një biletë për Katar.