Trajneri tremb tifozët e Napolit

Futboll

Trajneri tremb tifozët e Napolit

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 12:20
Trajneri tremb tifozët e Napolit

Viktor Osimhen është një nga sulmuesit më të mirë në futbollin europian. Napoli shpenzoi 75 milionë euro për ta blerë nga Lille në shtatorin e vitit 2020. 23-vjeçari është një “bishë” fizike dhe ka një gjakftohtësi për t’u pasur zili përpara portës kundërshtare.

Osimhen kryeson renditjen e golashënuesve në Serie A me 8 gola, teksa Napoli i tij po dominon kampionatin italian. Skuadra e Spallettit kryeson me 8 pikë më shumë se ndjekësit e Milanit dhe Lazios, dhe është në rrugën e duhur për të rikthyer titullin në qytetin jugor pas 33 vitesh.

Shumë klube të njohura po ndjekin me interes rrugëtimin fantastik të sulmuesit nigerian te Napoli. Carlo Ancelotti e sheh si zëvendësuesin perfekt të Karim Benzema në sulmin e Realit të Madridit, teksa trajneri i kombëtares afrikane paralajmëron tifozët napolitanë.

“Në verën e ardhshme besoj se Napoli do të kërkojë shumë milionë për Osimhen… Dhe mendoj se do të jenë disa klube të gatshme për të paguar për kartonin e tij. Viktori është i ri dhe ka një potencial të madh për t’u rritur. Napoli do e ketë të vështirë ta mbajë.

Ai është një sulmues që shënon shumë gola, çdo ekip në botë do donte ta blinte në këto momente. Ai bën presing, shënon dhe di ta përdorë mirë trupin e tij. Është sulmuesi perfekt për çdo skuadër, prandaj them se do të ishte blerja e duhur për të tashmen dhe të ardhmen”, deklaroi portugezi Jose Peseiro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat