Kombëtarja e Kosovës në futboll në mesin e këtij muaji luan dy miqësore.
‘Dardanët’ më 16 nëntor përballen me Armeninë, derisa katër ditë më vonë sfidojnë Ishujt Faroe, sfida këto që luhen në ‘Fadil Vokrri’.
Tifozët e Kombëtares sonë ‘Dardanët’ në prag të këtyre dy miqësoreve, kanë kërkuar nga të besuarit e Giresse që të japin më të mirën në terren dhe ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Jemi duke u bërë gati për dy miqësoret që na presin në këtë muaj kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe.
Presim që të respektohen këto ndeshje nga lojtarët, për t’na dhuruar paraqitje të kënaqshme e jo sa për sy e faqe vetëm pse ato janë miqësore.
Ju bëjmë me dije se biletat e dalura në shitje për ndeshjen kundër Armenisë u takojnë sektorëve tjerë të stadiumit, e jo atij që mbushet nga ne.
Si gjithmonë, biletat që na takojnë neve si tifogrup i shpërndajmë vet për anëtarët tanë. Në koordinim me përgjegjësit nëpër qendrat e qyteteve të mëdha do të bëhet edhe kjo shpërndarje biletash. Për hollësitë do t’i njoftojmë anëtarët tanë shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e 'Dardanëve’.