Federiko Valverde është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Realit të Madridit në këtë sezon. Rendimenti i tij ka qenë i shkëlqyer jo vetëm në lojë, por edhe në gola.
Mes të tjerave ai ka folur edhe për mungesën e Karim Benzemasë, por dhe faktin se te Madridi nuk ka asnjëherë vend për “relaks”.
“Mungesa e Benzemasë ka qenë problematike për ne. Askush nuk dëshiron që shoku i skuadrës të dëmtohet. Kjo vlen më shumë në rastin e Benzemasë, sepse ai është lideri dhe kapiteni. Por mungesa e tij ka bërë që lojtarë të tjerë të marrin mbi supe më shumë përgjegjësi”, ka thënë mesfushori i “Los Blancos”.
Duke qëndruar te Benzema, ai ka shtuar: “Ndodh që kur është ai në fushë, ndonjëri prej nesh heziton të godasë portën, sepse mund të humbasë momentin e një pozicionimi më të mirë të Benzemasë. Kjo nuk ka lidhje me frikën, por është fakt se me Benzemanë në fushë ka më shumë mundësi. Shpesh zgjedhim t’ia pasojmë topin e tij, pasi e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë”.
Mesfushori nga Uruguai ka analizuar edhe ecurinë mjaft të mirë personale në këtë sezon, duke theksuar se kanë ndikuar një sërë faktorësh.
“Është një kombinim i shumë aspekteve. Mendoj se pjekuria ndikon shumë.
Po ashtu të qenit për një kohë të gjatë në një skuadër me shumë yje, duke ndarë 24 orë me ta të bën të jesh më mendjehapur. Përjetimi i sfidave, pengesave, ndonjë dëmtim, të gjitha këto të bëjnë të pjekur jo vetëm në futboll, por edhe në planin personal. Të bëjnë më të fortë, të ndihmojnë të ecësh përpara.
Pastaj nëse doni të bëni hapa më të rëndësishëm përpara duhet të ndryshoni edhe gjëra të tjera. Është shumë e rëndësishme harmonia familjare, raporti me familjen e me bashkëshorten. Për fat i kam pasur gjithnjë në krah dhe kjo më ka ndihmuar”, përfundoi ai..