Antonio Kasano nuk ndalet kur i duhet të sulmojë, e as nuk mendohet dy herë përpara se të zgjedhë termat. Në daljen e fundit në “BOBO TV”, fantazisti ka shfrytëzuar rastin për të analizuar në mënyrën e tij fitoren e Juves ndaj Veronës.
“Për Juventusin po më shtohet neveria që vazhdon nga ndeshja në ndeshje. Juve fitoi në Verona pa gjuajtur një herë në portë dhe ky është turp i madh.
Trajneri i tyre është i lumtur, por në fund të sezonit do të bëhen bilancet dhe fati i tij është i vulosur që tani.
Turp është se si Alegri po e bën ekipin të luajë. Nga ana tjetër nuk mund të mendoj se miliona tifozë të Juventusit janë të kënaqur me këtë nivel paraqitjesh që po shohin”, ka deklaruar Kasano.