Arteta: Fituam falë dy cilësive

Futboll

Arteta: Fituam falë dy cilësive

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 11:49
Arteta: Fituam falë dy cilësive

Arsenali është rritur e pjekur si skuadër. Djemtë e Mikel Artetës kaluan me sukses (0-2) transfertën e komplikuar ndaj Wolves, që pavarësisht se mbetet në vendin e fundit në Premier League është një skuadër që nuk e meriton renditjen që ka.

Topçinjtë u treguan të duruar dhe kaluan në avantazh në gjuajtjen e parë që bënë në portën kundërshtare. Ishte minuta e 54’ kur Martin Odegaard ktheu në gol një asist të Fabio Vieira. Kapiteni realizoi edhe golin e qetësisë 21 minuta më vonë.

Arsenali përfitoi nga disfata e Manchester City përballë Brentfordit (1-2) dhe tani kryeson i qetë me 37 pikë, pesë më shumë se kampionët në fuqi. Mikel Arteta vlerësoi guximin e djemve të tij, të cilët arritën suksesin e dytë radhazi në transfertë pas atij ndaj Chelsea.

“Ishte shumë e rëndësishme të tregoheshim të qetë dhe të duruar, pasi Wolves na e nxiu jetën duke në lënë pak hapësira. Ishte zhgënjyese, pasi ata thjesht prisnin gabimet tona për të na kapur në kundërsulm.

Në pjesën e dytë ishim më të shpejtë dhe më të guximshëm. Djemtë filluan të marrin iniciativën, kështu që ia dolëm të fitonim ndeshjen. Gabriel Jesus nuk po shënon? Është e paçmueshme puna që ai bën për ekipin.

Shokët dhe stafi teknik e adhurojnë. Objektivi ynë është të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, ju siguroj që kemi shumë gjëra për të përmirësuar”, deklaroi trajneri spanjoll, i cili është në rrugën e duhur për të rikthyer Arsenalin te titulli kampion pas 19 vitesh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat