Biseda me Sokol Hadrin, kur tregon si ikën nga Nishi, kush nuk e donte në KF Prishtina dhe kur fliste për Muriqin e Rashicën

Futboll

Biseda me Sokol Hadrin, kur tregon si ikën nga Nishi, kush nuk e donte në KF Prishtina dhe kur fliste për Muriqin e Rashicën

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 14 nëntor 2022 Në ora: 12:40
Sokol Hadri

Me 2 shtator të vitit 2020 botuam bisedën ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot” të legjendës së futbollit Sokol Hadri.

Ai sot ka ndërruar jetë! Ikë në amshim edhe një emër i madh i futbollit, duke iu bashkuar legjendave tjera, si Fadil Vokrrit, Shefqet Sinanit, Favzi Ramës, Faton Domit, Lefter Prishtinës, Qamil Lulit, Hilmi Bellanicën, ish kryetari të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyçi etj.

E ribotojmë në tërësi bisedën me 2 shtator të vitit 2020.

Image

Një mbrojtës i jashtëzakonshëm në fund të viteve 60-ta, në vitet e 70-ta dhe të 80-ta. Hadri me emocione kujton periudhën fantastike. 

“Në 1963-1964 iu rreka futbollit, aty ishin dy persona - trajnerë, në të cilën ka pasur bajagi futbollistë të rinj, 200-300 veta, që i numëronte shkolla e futbollit e asaj kohe në Prizren.

Unë e kreva me sukses për tre vjet edhe shkollën e futbollit në Prizren,  prej aty më dërguan për ekipin e seniorëve siç quhej atëkohë Metohija (tani Liria). Prej aty me Sami Ahmetin kemi morëm ofertë nga Pejë! 

U ndërrua skuadra Metohija, filluan me stagnu dhe me Samiun shkuam për tre vite në Buduçnostin e Pejës. Pas asaj, me Buduçnostin kemi rënë nga liga e dytë e ish Jugosllavisë. 

Image

Liria 1983-1984: Në këmbë Skënder Simitçiu - trajner, Sokol Hadri, Sani Sopi, Besim Çejku, Nevzat Shiniku, Hilmi Bellanica dhe Hyni Maxhuni - trajner. Ulur: Ilir Rogova, Lefter Prishtina, Nexhmedin Limani, Ismet Kastrati, Xhavit Gashi, Iljaz Duraku dhe Aziz Koro-trajner.   

 

Na thanë se duhet me u largu prej Pejës, nuk kemi mundësi me iu pagu. Vijnë ofertat nga Radniçki i Nishit, një ekip shumë e mirë e asaj kohe, shkuam një muaj e ndejtëm dhe ikëm prej aty. Nuk mundëm t’i durojmë ata! Nuk ishte atmosfera për ne dhe nuk kishim vullnet e dëshirë të rrinim aty! 

Prej Nishit u kthyem në Prizren, iu thamë që nuk është koha me ardhur tek ju, ndërsa Prishtina kishte bërë një farë marrëveshje me Radniçkin dhe Cërvena Zvezdën, kështu që prapë shkuam për Pejë. 

Pas Pejës në KF Prishtina! Para meje e Sami Ahmetit Prishtinës iu bashkuan Erdogan Celina dhe Trifunoviqi.
Me Samiun shkuam prej Prizrenit dhe bëmë kontratën me Prishtinën për 4 vite. 

Image

Behajdin Gjinali dhe Sokol Hadri

 

Unë nuk doja kontratë katër vite por dy, por ata insistuan gjithqysh katër. Për kushtet biseduam, iu treguam se jemi në fakultet, na duhet një banesë apo shtëpi banimi. Ata na thanë se për 3 muaj ja sigurojmë ashtu edhe ndodhi. 

E morën një banesë njëdhomëshe por ata thoshin secili me pas nga një dhomë veç e veç, por ne nuk pranuam, ja bashkë me Samiun ja hiq! E morëm kontratën për 4 vjet, ndërsa disa serbë në KF Prishtina reaguan: Pse e keni marrë Hadrin dhe Ahmetin?

Nuk na donin, nuk e di pse! Nuk na shikuan me sy të mirë disa serbë që luanin për Prishtinën, sigurisht shkaku i konkurrencës! 

Unë e kisha numrin katër në shpinë dhe patëm sukses, dy herë me Prishtinën shkuam në kualifikime për ligën e parë ish jugosllave dhe nuk patëm fat”, tregon Hadri për gazetën kombëtare “Bota sot”. 
Prishtina dy herë ka luajtur në kualifikime por të dy herët nuk ka arritur të sigurojë vizën për në elitën e futbollit ish jugosllav. 

Me 25 qershor të vitit 1972, Prishtina u nda baras 2:2 (Sokol Hadri humb penalltinë 45’) me Buduçnostin, ndërsa me 2 korrik pëson humbje në Podgoricë me 1:0.

Me 24 qershor të vitit 1973, Osijeku fiton me 1:0 ndaj Prishtinës. Hadri i pafat, humb penalltinë. Me 1 korrik Prishtina si vendas mundet me 1:2 nga Osijeku. “Ishim më të rinj, të papërvojë ndaj Buduçnostit të Podgoricës, ekip më përvojë po ashtu edhe Osijeku”, tha ai.

Hadri tregon se si e ndjeu veten kur dështoi nga penalltia kur më së shumti duhej goli!

“Unë i thash Shujicës shutoje ose Donçiqit, ata asnjëri nuk guxonin ta merrnin përgjegjësinë. Kryetari klubit bërtiste, merre Hadri, hajde Hadri, shutoje. E mora dhe shutova por ma mbrojti portieri i Osijekut, bash në takimin e parë (1:0). Nuk e siguruam hyrjen në ligën e parë, pas kësaj u larguam prej Prishtinës.

Erdogan Celina shkoi në Trepçë, e cila ishte kandidate me hy në ligën e parë ish-jugosllave, unë u ktheva në Lirinë e Prizrenit. Iu thash aty e kam filluar edhe aty do të përfundojë karrierën. Celina në Trepçë dhe unë në KF Liria, ku luajta për tetë vite dhe në vitin 1985 e përfundova karrierën”, kujton Hadri kohën e artë të tij. 
Hadri flet me krenari për gjeneratën e sotme të kombëtares së Kosovës.  

“Drejtën me të thënë, tash për momentin kanë suksese, kanë mundësi me ecur edhe me tepër. Vedat Muriqi është lojtar që meriton një klub më të fortë, edhe Milot Rashica që luan për Werderin”. 

Ai shpreson se skuadra e zemrës Liria së shpejti të kthehet në shoqërinë e më të mirëve.

“Liria që prej se u largua nga elita nuk është askund! Aty nuk kanë faj lojtarë, por besoj se gradualisht do ta marrin veten. E dua Lirinë!

Tash mirë u bë mirë që Skënder Shengyli është trajner dhe e ka merituar, ka përvojë, ka luajtur edhe për Prishtinën. Lutem që të ndryshojë Liria për të mirë dhe shpresoj me Skënder Shengylin do të kthehen në elitë.

Edhe si qytet edhe si traditë e meriton elitën. Është qyteti i dytë për nga numri i banorëve, po ashtu me traditë të futbollit pas Prishtinës dhe Trepçës vjen Liria, tri ekipet më të forta”, tha legjenda e futbollit.

Hadri është falënderues edhe ndaj FFK-së: “FFK me vlerësojnë shumë dhe më thërrasin Legjendë. Sokoli është legjendë”!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat