Me Kupën e Botës që është gjithnjë e më pranë (starton të dielën), kombëtaret e kualifikuara tashmë kanë nisur përgatitjet ndërsa disa prej tyre janë zhvendosur në vendin organizator, Katar. Kështu ka bërë edhe Gana e cila është shortuar në Grupin H, së bashku me Portugalinë, Korenë e Jugut dhe Uruguajin.
Kombëtarja afrikane do të debutojë më datë 24 nëntor ndaj Portugalisë, por për sfidën ndaj luzitanëve, lojtarët e Ganës i pret një e papritur e madhe. Bëhet fjalë për uniformat të cilat magazinieri i kombëtares i ka harruar t’i paketojë dhe t’i marrë në Katar së bashku me pjesën tjetër të bagazhave.
Tashmë, uniformat do të duhen të mbërrijnë në Katar me anë të postës, mirëpo ende nuk është e sigurt sa kohë do të marrë i gjithë procesi. Kështu, nëntë ditë para debutimit në Botëror, te Gana rrezikojnë të zbresin në fushë me fanella të improvizuara.