Christophe Galtier mund të shfrytëzoj pauzën e Botërorit për të përditësuar vizionin e tij mbi sezonin e PSG, me skuadrën pariziene që ka treguar një formë të shkëlqyer në Ligue 1. Nga ana tjetër, kryeqytetasit i pret një përballje e zjarrtë në Champions League ndaj Bayern Munich, kompeticion i cili është edhe objektivi kryesor për francezët.
Megjithatë, tekniku 56-vjeçar do t’i mbajë shpresat tek yjet e sulmit si Messi, Neymar e Mbappe. Për këtë të fundit, Galtier thekson se është lojtari ku Parisi ka bazuar projektin, por kjo nuk do të thotë se 23-vjeçari është më i rëndësishëm se klubi.
“Mbappe është lojtari që identifikon projektin e Parisit, por kjo nuk do të thotë se ai është mbi klubin. Ai është në të njëjtin nivel me lojtarët e tjerë.
Është në të njëjtin nivel me Neymar apo Messin që duhet theksuar se është lojtari më i mirë në historinë e futbollit.
Mbappe është i dashuruar me Parisin edhe pse ndiqte me shumë interes Real Madridin. Megjithatë, duhet respektuar sepse mori një vendim shumë të vështirë”, u shpreh Galtier.