Rikuperimi në gjurin e operuar në majin e kaluar po shkon mirë, por jo aq sa pritej.
Në fakt, rikthimi i Zlatan Ibrahimoviçit në fushë ishte programuar për në fillim të vitit 2023. Muaji mbetet janari, me suedezin që duhet të marrë lejen për nga fundi i muajit në fjalë.
Lajmin e ka bërë të ditur “La Gazzetta dello Sport”, që saktëson se synimi i Ibrës është që të jetë i disponueshëm për sfidën e dyfishtë me Totenhemin, e vlefshme për 1/8-at e Ligës së Kampioneve.
Ndeshja e parë do të luhet në Milano më 14 shkurt dhe sulmuesi dëshiron të jetë të paktën në stol për të mbështetur skuadrën moralisht, por edhe për të dhënë kontributin e tij në rast nevoje.
Vetëm pjesa e dytë e sezonit do të hedhë dritë mbi të ardhmen e suedezit që ka një kontratë deri më 30 qershor 2023.