Kupa e Botës është shumë afër dhe kombëtaret po zhvillojnë përgatitjet e fundit për t’u paraqitur në formën më të mirë të mundshme në Katar.
Një nga kombëtaret nga e cila pritet shumë në Botëror është ajo e Belgjikës, që mund të ketë shansin e fundit për të shfrytëzuar cilësitë e mëdha të një brezi të talentuar.
Djajtë e Kuq të Europës kanë zhvilluar një miqësore në Kuvajt me kombëtaren e Egjiptit dhe sfida e fundit përgatitore nuk është mbyllur shumë mirë për skuadrën e Roberto Martinez.
Ndeshja, në fakt, është zhbllokuar në minutën e 33-të me një gol të Mostafa Mohamed. Sulmuesi i egjiptianëve ka përfituar nga një kontroll i gabuar i De Bruyne, ia ka kaluar topin mes këmbëve yllit të City-t dhe ka mposhtur Courtois me një goditje të bukur nga jashtë zone.
Në fillimin e pjesës së dytë ka ardhur edhe dyfishimi i avantazhit për egjiptianët. Trezeguet ka marrë një asist të bukur nga Mohamed Salah dhe nuk ka gabuar para Courtois.
Belgët janë kundërpëgjigjur në minutën e 76-të duke ngushtuar shifrat në 2-1 me Openda-n, por nuk kanë arritur të gjejnë golin e barazimit dhe të shmangin humbjen.
Belgjika është pjesë e Grupit F bashkë me Kroacinë, Kanadanë dhe Marokun. Aventura e belgëve në Katar do të fillojë më 23 nëntor kundër kombëtares së Kanadasë.