Robert Lewandowski ka kritikuar La Ligan pasi ndaj tij u shqiptua dënimi me tri ndeshje mos-lojë.
Sulmuesi veteran u ndëshkua në ndeshjen e fundit të Barcelonës përpara pushimit të Kupës së Botës, kundër Osasuna, më 8 nëntor.
Lewandowskit iu dha kartoni i dytë i verdhë nga gjyqtari Jesus Gil Manzano, pas gjysmë ore lojë.
34-vjeçari dukej se bëri një gjest kundër gjyqtarit pastaj.
Pas rishikimit nga RFEF dhe La Liga të raportit të Manzanos pas ndeshjes, ata zgjodhën të rrisin pezullimin e Lewandowski në tre ndeshje.
“Për mua, është shumë e gjatë. Gjesti nuk ishte për gjyqtarin, por i drejtuar te pankina. Shpresoj që apeli të ndryshojë”, ka thënë ish-sulmuesi i Bayern Munichit, përcjell “Marca”.
Barcelona ka apeluar ndaj vendimit për suspendimin e reprezentuesit të Polonisë për tri ndeshje.
Kujtojmë se nëse vendimi nuk ndryshon, Lewandowski do t’i mungojë Barcelonës në ndeshjet kundër Espanyolit, Atletico Madridit dhe Real Betisit.