Portieri i Kukësit, Angelo Tafas i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në menisk, pas një dëmtimi që ai ka pësuar në stërvitje. Gjithçka ka përfunduar me sukses, ndërsa periudha e rikuperimit për 22-vjeçarin pritet të zgjasë rreth dy muaj.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare, klubi i Kukësit ka bërë të ditur për tifozët se “gardiani” Tafas pritet të rikthehet në skuadër në muajin janar.
“Portieri Angelo Tafas i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në menisk, pas dëmtimit që ka pësuar pak ditë më parë në stërvitje. Gardiani i portës sonë e ka kaluar me sukses këtë sfidë dhe në janar pritet t’i bashkohet skuadrës . Rikthehu edhe më i fortë“.
Tafas ka qenë titullar i padiskutueshëm këtë sezon me verilindorët e Dobit. Ai ka luajtur 11 ndeshje të plota në kampionat dhe dy në Kupë. Vetëm në sfidën e fundit përballë Kastriotit, portieri nuk ishte pjesë e skuadrës.