Një lajm i mirë vjen për futbollin shqiptar!

Futboll

Një lajm i mirë vjen për futbollin shqiptar!

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 11:51
Një lajm i mirë vjen për futbollin shqiptar!

Një lajm i mirë vjen për futbollin shqiptar! Liga Profesioniste të Futbollit është bërë anëtare e Ligave Europiane, një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit në Europë me mbi 40 anëtarë. Vendimi historik është marrë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Ligave Europiane, që u zhvillua në Porto pak ditë më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, Dritan Kadia, i cili mori pjesë në punimet e kësaj asambleje, tregon rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë, që ka si synim zhvillimin e futbollit dhe mbrojtjen e të drejtave të ligave, klubeve dhe lojtarëve.

“Ligat Europiane është një organizatë e përbërë nga 40 shoqata europiane e ligash profesioniste në mbarë Europën dhe këto shoqata mblidhen së bashku në këtë organizatë e cila ka për synim zhvillimin e futbollit dhe mbrojtjen e të drejtave të futbollit vendas, klubeve, lojtarëve dhe të tifozerisë. Kjo ligë njihet nga UEFA dhe bashkëpunon edhe me shoqatat e tjera të futbollit, siç janë shoqatat e tifozëve, e klubeve profesioniste, etj.

Ajo ka bërë shumë në mbështetje të futbollit, duke organizuar takime ku klubet mblidhen më njëri-tjetrin dhe diskutojnë për çështje të futbollit, gjithmonë në mbrojtje të interesave të tyre dhe në këtë mënyrë ata punojnë gjithmonë për të arritur nivelin profesionist të klubeve të futbollit dhe ligave pjesëmarrëse në këtë organizatë”, – thotë Kadia për Fshf.org, teksa shpjegon edhe përfitimet që mund të ketë liga shqiptare nga bashkëpunimi me Ligat Europiane dhe mundësitë për të implementuar projekte të rëndësishme në të ardhmen, që mund të jenë shumë të vlefshme për klubet profesioniste shqiptare.

“Shoqata e Ligave Europiane sot përbëhet nga 40 anëtarë dhe Liga Profesioniste e Futbollit u bë anëtare e saj me të drejta të një shoqate në zhvillim. Bashkë me shoqatën tonë u shtuan edhe Liga Profesioniste e Maltës dhe ajo e Bullgarisë.

Natyrisht që liga jonë si një ligë e re ka shumë përfitime nga anëtarësimi në këtë organizatë, pasi përveç benefiteve që janë në kuptimin e rritjes profesionale të anëtarëve të saj, pra klubeve, të krijimit të strukturave të klubeve dhe vetë ligës, ka edhe përfitime të tjera që për ne janë shumë të prekshme, pasi për sa kohë që në Shqipëri mungon ligji i sponsorizimit kjo është një mundësi për të siguruar të ardhura të tjera shtesë nëpërmjet pjesëmarrjes në liga të tjera, në shoqata të tilla, që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe krijojnë oferta në treg me anë të cilave klubet rrisin vlerën e tyre të përfitimeve”’, – vijon Kadia, duke përmendur edhe dy projekte konkrete për të cilat mund të aplikohet në të ardhmen e që mund të ndihmojnë së tepërmi zhvillimin e Ligës.

“Praktikisht sot jemi duke parë mundësinë e bashkëpunimit në shitjen e të drejtës televizive jashtë vendit dhe këtë Ligat Europiane e kanë bërë me anëtarët ekzistues të saj, ku më shumë së 10 liga në një periudhë brenda dy vitesh, kanë fituar mundësinë e shitjes së të drejtës televizive jashtë vendit, gjë që ato më parë nuk kishin mundësi për ta bërë.

Gjithashtu, ekziston edhe një mundësi shumë e mirë për shitjen e të drejtës së vendosjes së basteve të shpejta me anë të të cilave ligat profesioniste e kanë rritur shumë vlerën e tyre në treg, duke arritur ato gjëra që nuk mund ta bënin duke negociuar vetë me shoqëritë e basteve. Këto janë dy nga projektet për të cilat na është premtuar që ne së shpejti do të kemi mundësinë për të aplikuar dhe për të patur përfitime”, – theksoi Kadia.

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i LFP flet edhe për një tjetër vendim të marrë në Asamblenë e Përgjithshme të Ligave Europiane për t’u solidarizuar dhe mbështetur Ukrainën në këtë moment të vështirë që po kalon ky vend

“Mbledhja e Ligave Europiane që u zhvillua në Porto në datat 17 dhe 18 nëntor midis të tjerave u tregua edhe një bashkëpunim midis ligave, që mblodhën fonde për të ndihmuar Ligën Profesioniste të Ukrainës për të mbyllur sezonin aktual në Ukrainë që në kushtet në të cilat zhvillohet ka nevojë për shumë mbështetje. Ligat Europiane arritën të mblidhnin 2.3 milionë euro fonde në mbështetje të Ligës së Ukrainës, në këtë mënyrë u shpreh edhe një herë solidariteti që të gjithë bashkë bëjnë më shumë e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe kjo tregon edhe një mundësi tjetër, që ligat në nevojë kanë shansin të përfitojnë nga bashkëpunimi me organizatat e mëdha”, – u shpreh Dritan Kadia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat