Portieri kamerunas i Interit, Andre Onana është në Katar për Kupën e Botës, por në një intervistë të publikuar nga “Sportweek”, ka folur për eksperiencën e tij zikaltër dhe kryesisht për marrëdhëniet me Samir Handanovic.
Këtij të fundit Onana i ka marrë vendin e titullarit, pasi ka bindur me paraqitjet e tij, ndonëse slloveni është ende zyrtarisht kapiteni i parë i zikaltërve.
“Handanovic është një gjigant dhe i heq kapelen. Më ndihmon shumë dhe më këshillon vazhdimisht.
Eksperienca e tij sigurisht që do të më vlejë shumë. Unë jam një portier modern, që luaj shumë me këmbë, ndërmarr edhe rreziqe, por synoj të ndihmoj skuadrën jo thjesht me pritjet e mia. Manuel Neuer është shembulli që ndjek, pasi ai bën shpesh çmenduri në fushë”, deklaroi Onana.