Ndarja mes Cristiano Ronaldo-s dhe Manchester United është zyrtare prej disa ditësh tashmë, por akoma është e vështirë të hidhet një hipotezë se ku do të vazhdojë karriera e tij.
Shumë zëra flasin për një kthim të bujshëm në Portugali për pesë herë fituesin e Topit të Artë, por nuk janë të paktë edhe zërat që flasin për një transferim në Amerikë.
Një sinjal se ku do të jetë e ardhmja e tij duket se ka ardhur nga… makinat e tij. Në fakt, në Angli, The Sun shpjegon se veturat e CR7 janë zhvendosur që tani jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
E përditshmja anglezse e ka interpretuar këtë fakt si një sinjal të qartë se e ardhmja e ish-yllit të Juventus-it dhe Real Madrid nuk do të jetë në Premier League.
Në lidhje me këtë, në fakt, është folur shumë për një interesim të Chelsea-t dhe madje edhe të Tottenham-it të Antonio Conte-s. Por duket shumë e vështirë të bëhen disa parashikime tani.
Aktualisht, Cristiano Ronaldo është i përqendruar te Kupa e Botës që po zhvillohet në Katar dhe te Portugalia e tij. Aventurë që ka nisur me një rekord për të, duke parë se CR7 është bërë lojtari i parë që shënon gol në pesë edicione të Kupës së Botës.