Ka filluar këtë fundjavë Kampionati Kombëtar i Futsallit 2022-2023 i organizuar nga FSHF me ndeshjet e javës së parë, në një edicion që vjen ndryshe këtë herë dhe me më shumë pjesëmarrje krahasuar me vitin e kaluar.
Ekipet që marrin pjesë në këtë sezon të ri janë Eagles Land, Tirana Futsal, Forcat e Armatosura, Vllaznia, Diamant, Olimpik 1 Maji dhe Flamurtari, ndërsa premiera e kampionatit ka qenë ajo mes Tirana Futsal dhe Flamurtarit, që u luajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Një takim mjaft interesant e që dhuroi surprizën e kësaj jave, me Flamurtarin që mposhti me rezultatin 3-1 pikërisht kampionen në fuqi, Tirana Futsal.
Sakaq, edhe dy ndeshjet e tjera të javës kanë dhuruar gola me ekipin Forcat Armatosura që ka mundur Olimpik 1 Maji me rezultatin 6 – 4, kurse Vllaznia Futsal fitoi ndaj Diamant Futsal me rezultatin 7 – 5. Pavarësisht goleadave bie në sy rivaliteti i madh që kanë prodhuar të treja ndeshjet e që premtojnë një luftë të fortë sportive deri në fund të sezonit.
Kampionati do të zhvillohet me dy faza, me ndeshjet që do të luhen me sistem vajtje-ardhje e më pas do të vijojë edhe me fazën e play-off-it nga ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij kampionati që do të përfaqësojë Shqipërinë në UEFA Champions League Futsal.
Sezonin e kaluar në këtë kampionat merrnin pjesë 4 skuadra, ndërsa këtë vit kem një dyfishim të numrit të ekipeve pjesëmarrëse. Çdo skuadër do të ketë në dispozicion 20 lojtarë, teksa në sallë ekipet do të kenë 5 lojtarë për të luajtur. Që do të thotë se në këtë edicion marrin pjesë 140 lojtarë, duke pasur kështu një pjesëmarrje të konsiderueshme në krahasim me sezonin e kaluar.
Kampionati Kombëtar i Futsallit
Java e parë
Tirana Futsal – Flamurtari 1 – 3
Forcat Armatosura – Olimpik 1 Maji 6 – 4
Vllaznia Futsal – Diamant Futsal 7 – 5
Eagles Land pushim