Egnatia ndez me të parën, kalon lehtësisht Apoloninë

Futboll

Egnatia ndez me të parën, kalon lehtësisht Apoloninë

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 18:35
Egnatia

Egnatia ka kaluar të shtunën me sukses testin e parë miqësor të kësaj ndalese për shkak të Botërorit. Rrogozhinasit kanë mposhtur pa shumë vështirësi me shifrat 0-3 Apoloninë në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.

Gjithçka është zgjidhur shpejt dhe lehtë nga rrogozhinasit, të cilët shënuan një gol në pjesën e parë dhe dy gola në pjesën e dytë. Djemtë e Shpëtim Duros ishin dominues gjatë gjithë lojës dhe për asnjë moment nuk e diskutuan fitoren. Nga ana tjetër Apolonia nuk po del dot nga kriza e thellë e rezultateve negative.

NDESHJA – Takimi ka nisur vrullshëm nga ana e rrogozhinasve, të cilët rastin e parë të rrezikshëm e patën në minutën e 8-të. Mesfushori Fernando driblon këdo që i del përpara dhe në fund lëshon një silurë të vërtetë me të majtën, që “qeth” traversën. Në minutën e 22-të Egnatia gjen rrjetën. Aksioni nis nga këmbët e Mustës, që kroson bukur në zonë, aty ku mbrojtësi Repaj tregohet i pakujdesshëm dhe e prek topin me dorë. Kryesori Cjapi akordon penallti dhe Camaj nuk gabon.

Pas dhjetë minutash, Apolonia do të bënte gjuajtjen e parë në portë me Gjatën, që gjuan fort me të djathtën brenda zonës, por portieri Sherri është i vëmendshëm. Të dytën rrogozhinasit e nisën aty ku e lanë, duke dominuar dhe krijuar raste. Golin e dytë e gjejnë vetëm në minutën e 65-të. Mesfushori Zejnullai bën gjithçka mirë në krahun e djathtë, më pas futet në qendër dhe godet me të majtën, duke dërguar sferën në trekëndëshin e portierit Bushi dhe dyfishuar shifrat.

Apolonia është thuajse inekzistente në fushën e lojës, pa nerv e dëshirë për të fituar. Pavarësisht se është vetëm një ndeshje miqësore, kjo ecuri e deritanishme vërteton gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet skuadra fierake. Në të 81-ën Mëllugja harkon një top të gjatë për mbrojtësin Lila, i cili kontrollon topin, “i vërsulet” portës dhe lëshon një gjuajtje me të djathtën duke fiksuar shifrat 0-3. Egnatia është perfekte, dominuese dhe tejet e vështirë për Apoloninë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat