Flamurtari bën lojën dhe shpërdoron raste pa fund, ndërsa Bylisi fiton falë një goli të shkodranit Eridon Qardaku.
Miqësorja e zhvilluar të shtunën në stadiumin e Vlorës ka prodhuar një lojë të bukur mes dy skuadrave, duke dhënë përshtypjen e një ndeshjeje të vlefshme për Kategorinë Superiore. Vlonjatëve u mungonin Indio Olivera dhe Denis Pjeshka për shkak të dëmtimeve, ndërsa nga ana tjetër, Bylisi provoi një rreshtim ndryshe, pa një pykë të mirëfilltë, pasi nga stoli e nisën Kaçorri dhe Atshimene, shkruan Panoramasport.
Fillimisht është Fernando për Flamurtarin që vendos në provë Teqjan dhe më pas po të njëjtën gjë e bën edhe Xhonatan. Bylisi mbrohet mirë, duke u bërë ballë sulmeve të vlonjatëve. Iakoveli ka një mundësi shumë të mirë shënimi, por nuk gjen dot kuadratin. Provon edhe Liçaj me të majtën, por Teqja i thotë “jo” golit. Flamurtari dominon, ndërsa ballshiotët mundohen vetëm të qarkullojnë topin dhe të shkojnë drejt portës kuqezi me një sulm gradual.
Një kundërsulm i Bylisit e kap në befasi mbrojtjen vlonjate në minutën e 40-të, teksa krosimi në zonë nga Felipe Soza gjen të lirë Qardakun, i cili gjuan direkt dhe mposht Kaloshin për 0-1. Me këto shifra do të mbyllej pjesa e parë. Edhe në pjesën e dytë, Flamurtari ishte më kërkues, por rritmi i lojës ra ndjeshëm edhe për shkak të zëvendësimeve të shumta. Bylisi do të bënte plot dhjetë ndryshime, ndërsa Flamurtari tetë. Troisi provoi edhe portierin e ri, Bruno Qarri, ndërsa u rikthye në fushë edhe kapiteni Ribaj.
Ky i fundit, ashtu si Metani, kishin mundësi të mira për shënim. Vlonjatët zhvilluan një lojë të bukur, por u mungoi finalizimi, ndërsa Bylisi administroi mirë situatat dhe ruajti avantazhin deri në fund. Në mesjavë Flamurtari do të luajë një miqësore me Tiranën në kryeqytet.