I poshtërojnë keq pas eliminimit

Futboll

I poshtërojnë keq pas eliminimit

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 14:56
I poshtërojnë keq pas eliminimit

Eliminimi i Gjermanisë qysh në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2022 po i bën njerëzit të flasin, ka bërë bujë në mbarë botën. Megjithatë, jo të gjithë kanë analizuar vetëm shkaqet dhe arsyet e asaj që ndodhi. Ka nga ata që kanë shkuar më tej.

Në një emision televiziv të quajtur “Çështjet e Katarit”, kombëtarja gjermane u tall dhe u poshtërua nga drejtuesit dhe prezantuesit e tij, të cilët mbuluan gojën me njërën dorë dhe me dorën tjetër bënin shenjë talljeje me protestën e lojtarëve të “Die Mannschaft” para ndeshjes me Japoninë (vunë duart mbi gojë).

Me atë rast, kombëtarja gjermane kishte shprehur mospajtimin e saj kundër FIFA-s, e cila nuk i lejoi kapitenët e shtatë kombëtareve evropiane të dilnin në fushë me shiritin e ylberit ‘One Love’ në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ dhe punëtorëve migrantë të shfrytëzuar për të ndërtuar veprat sportive në Katar.

Pas shpalljes së sanksioneve të mundshme sportive, askush nuk e mbajti atë shirit, por Gjermania, ndryshe nga kombëtaret e tjera, donte ende ta thoshte zërin e saj në fushë. Ky gjest nuk u prit mirë në Katar dhe reagimi i tyre ndaj largimit të hershëm të gjermanëve nga Botërori është dëshmi e kësaj.

Programi “Qatar Affairs” analizoi në mënyrë shumë ironike humbjen e Gjermanisë dhe në fund të gjithë të pranishmit në studio mbuluan gojën dhe përshëndetën kamerat, duke u tallur me katër herë kampionët e botës. 

Gjermania përfundoi e treta në Grupin E, pas Japonisë dhe Spanjës.

Është hera e dytë në po aq Botërorë që gjermanët dështojnë të kalojnë fazën e grupeve, pas asaj që ndodhi në “Rusia 2018”. Pas fitores së vitit 2014 në Brazil, kombëtarja gjermane nuk e ka përmbushur më statusin e saj. Këto dy eliminime të njëpasnjëshme që në grupe mund të çojë në një ndryshim të vërtetë brezash të “Die Mannschaft”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat