Ferizaj nuk ka arritur objektivat në pjesën vjeshtore, përfundoi në fund të renditjes të elitës së futbollit të Kosovës, me vetëm 13 pikë.
“FC Ferizaj njofton shkëputjen e marrëveshjes me ikonën e futbollit vendor, kapitenin Florim Berisha.
Me Florimin e kemi kaluar një super edicion në Ligën e Parë, ku barrën e kapitenit dhe udhëheqësit të ekipit, askush më mirë se Florim Berisha, nuk ka ditur ta bënte.
Lojtar që ishte lider në fushë dhe me një bagazh të madh në kaluarën, ishte pika jonë e fortë në këto dy sezonet e fundit.
FC Ferizaj të uron shumë suksese në vazhdim Florim Berisha.
Ti do mbetesh përherë njëri prej nesh”, njofton FC Ferizaj.
Pos tij janë larguar edhe disa futbollistë tjerë, si Gëzim Rusi etj.
“FC Ferizaj njofton se sot ka arritur marrëveshje për shkëputjen e kontratës me sulmuesin Qlirim Kashtanjeva dhe portierin Edmond Salihu.
Qlirimi erdhi në klubin tonë qysh kur garonim në Ligen e Parë, duke u shndërruar në njërin prej sulmuesve anësor më të mirë në ligë. Formën e njëjtë nuk mundi ta bartë edhe në Superligë.
Pavarësisht kësaj, FC Ferizaj e falënderon Kashtanjeven për angazhimin dhe momentet e mira që i kemi përjetuar së bashku, duke i uruar shëndet e shumë suksese.
Kurse urimet më të sinqerta shkojnë edhe për portierin Edmond Salihu, që shpërfaqi profesionalizëm sa herë që iu kërkua. Shumë suksese për Edmondin në vazhdim!”, thuhet nga FC Ferizaj.