Gola, emocione, adenalinë dhe argëtim. Por jo për të gjithë. Festimet e futbollistëve brazilianë pas golave të shënuar ndaj Koresë së Jugut, në ndeshjen e vlefshme për 1/8 finale të Botërorit nuk i kanë pëlqyer Roy Keane.
Ish-kapiteni i Manchester United ka kritikuar qëndrimin e lojtarëve të Tite dhe festimin e tepërt në fushë.
“Nuk mund ta besoj atë që kemi parë, – tha ai për ITV, transmetuesin për të cilin komenton Kupën e Botës në Katar”.
Keane u tregua shumë kritik: “Ishte si të shikoja ‘Strictly’ (shfaqje televizive shumë e njohur në Britaninë e Madhe, një format që të kujton ‘Dancing with the Stars’). Nuk mund ta besoj atë që po shikoj. Nuk më pëlqen. Njerëzit thonë se kjo është kultura e tyre, por unë mendoj se kjo është me të vërtetë mosrespektim i kundërshtarëve të tyre.
Ata shënuan katër gola dhe kanë shënuar gjithmonë”. Keane gjithashtu kritikoi trajnerin Tite: “Nuk më pëlqente ta shihja atë të përfshirë në të tilla kërcime, nuk jam i kënaqur me të, nuk mendoj se ishte një shfaqje e mirë”.