Brazili është kandidati kryesor për fitimin e Kupës së Botës, por rekordmenët e turneut më të rëndësishëm në futboll i pret një test i vështirë të premten ndaj Kroacisë (16:00). Kapiteni i kombëtares “seleçao”, Thiago Silva u shpreh se ai dhe shokët e tij nuk kanë frikë asnjë kundërshtar.
Në prononcimin për GDS, 38-vjeçari foli edhe për Neymar, yllin e sulmit. “Ne jemi të fortë në fushë, por edhe në kokat tona. Nuk ishte ndeshje e lehtë ajo ndaj Koresë së Jugut. Punuam shumë në lidhje me përgatitjen e asaj ndeshjeje, nuk mund të mos i respektonim koreanët”.
“Para se të mendojmë për gjysmëfinalen e mundshme kundër Argjentinës, ne duhet të fokusohemi te Kroacia. I respektojmë të gjithë, por nuk i frikësohemi askujt. Duhet të vazhdojmë përpara me futbollin tonë guximtar dhe dëfryes”.
“Neymar është i domosdoshëm për ne. Ai kaloi një javë të komplikuar dhe zbriti në fushë me vetëm dy seanca stërvitore. Ai ka treguar se është 100% i fokusuar te Kupa e Botës dhe se e dëshiron me çdo kusht fitoren finale”, deklaroi qendërmbrojtësi brazilian.