Biletat për të ndjekur në stadium ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Francës po shiten për 10 mijë paund, ndërsa tifozët e dëshpëruar për të qenë në stadium të shtunën duhet të paguajnë 28 herë më shtrenjtë sesa vlera fillestare e tyre.
Rreth 9.500 tifozë anglezë pritet të jenë të pranishëm në stadiumin “Al Bayt” për të mbështetur skuadrën e Garet Sauthgejtit për një biletë në gjysmëfinale në turneun e dytë radhazi pas “Rusi 2018”.
Kampionët në fuqi të Botës kundër skuadrës që u rendit në vendin e katërt në turneun e katër viteve më pare, po tërheq shumë interes edhe te tifozët neutralë. Gati 800 bileta janë rishfaqur në portalet e rishitjes së tyre dhe çmimet e tyre janë marramendëse, duke u shitur 28 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre fillestar.
Dy bileta në kategorinë e 175 paundëve po shiten në sajtin “Ticombo” për 5 mijë paund secila dhe 709 paund duhet paguar për prenotimin e tyre.
Një çmim i tillë mbulon vetëm biletat dhe tifozët të cilët nuk ndodhet aktualisht në Katar, që duhet të shtojnë edhe kostot e fluturimit dhe akomodimit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.
Megjithatë, tani nuk është më e vështirë për të hyrë në Katar për tifozët, sepse atyre nuk u duhet më një biletë ndeshjeje për të marrë lejen e nevojshme të emigrimit “Hayya” për të shkelur në vend.