Kalimi në fazën çerek finale e ka rritur më shumë oreksin përfaqësues të Marokut, pasi mposhtën nga pika e penalltive një superfuqi në arenën botërore si Spanja e “tikitakës”. Takimi i radhës koincidon me Portugalinë “e zjarrtë”, e cila e ka shkelur gazin në maksimum, rasti konkret gjatë duelit të fundit me helvetët, e përfunduar me shifrat tenistike 6-1.
Motivimi në kampet e të dyjave është tregues se çfarë atmosfere do të shijohet ditën e nesërme në “AlThumama Stadium”. Por ato çka i japin më shumë ngjyra të ndezura janë historitë e së shkuarës mes veteranit Pepe dhe lojtarëve të përfaqësueses afrikane.
Pikënisja e situatës në fjalë lidhet me Botërorin “Rusi 2018”, ku luzitanët ndodheshin në të njëjtën grup me “makthin” e spanjollëve. Dueli në fjalë do të ishte i xhiros së dytë në fazës së grupeve. Edhe pse Kristiano Ronaldo do të mbante autorësinë e protagonistit me golin e ardhur nga këndorja.
Një tjetër personazh i diskutuar do të bënte “ligjin” me ndërhyrjet e tepruara ndaj fazës ofensive marokene. Aq sa ata filluan të mos besonin në vendimet e arbitrit Mark Geiger, pa asnjë shqyrtim në VAR: “Arbitri duhet të ketë qenë shumë i impresionuar me Kristianon.
Kur kalova pranë Pepes e dëgjova të thoshte se i kishte kërkuar fanellën Ronaldos përgjatë pjesës së parë. Jemi në Kupën e Botës, ky nuk është cirk”, pohonte me tone të larta kritikuese Nordim Amrabat pas asaj sfide, tregues se deri në çfarë pike kishte shkuar gjendja. Pas 4 vitesh sërish këta komponentë do të jenë përballë, në një tjetër “teatër” e dinamika për të sjellë versionin e tyre se kush do të kalojë në gjysmëfinale dhe sigurisht nëse këto armiqësi ia kanë lënë vendin pjekurisë apo ai “vullkan” sërish vazhdon të vlojë.