Holanda luajti keq për 80 minuta, por gjeti forcë, shënoi dy gola të bukur dhe barazoi 2-2 çerekfinalen ndaj Argjentinës. Shtesat nuk prodhuan gol, ndërsa penalltitë i buzëqeshën skuadrës albiceleste, që u kualifikua në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Trajneri i kombëtares tulipane, Louis Van Gaal ka ankesa për gjykimin, sidomos për penalltinë që dërgoi rezultatin përkohësisht 2-0 për Argjentinën.
“Në fund të lojës lojtarët i thanë diçka njëri-tjetrit kur u mblodhën rreth, por nuk e kuptova se çfarë. Ne e gjetëm veten me rezultatin 0-2 pas një penalltie, e cila në sytë e mi është shumë e dyshimtë.
Ia dolëm të barazonim, por më pas u bëmë lëmsh te penalltitë… Gjithsesi, unë e kam shprehur gjithmonë se penalltitë janë të paparashikueshme. Dua ta shoh edhe njëherë penalltinë e Argjentinës.
Nuk më pëlqeu aspak arbitrimi, edhe pse nuk u eliminuam prej tij. Ne luajtëm mirë, por për fatin tim të keq është hera e dytë që eliminohem me penallti nga Kupa e Botës pas Brazil 2014”, u shpreh Van Gaal.