Maroku iu fal golit fantastik të Youssef En Nesyri për të thyer Portugalinë dhe për të siguruar për herë të parë kualifikimin në gjysmëfinalet e një Botërori, arritje që nuk e ka realizuar asnjëherë më parë një kombëtare afrikane.
Sulmuesi i Sevilla realizoi një gol të bukur me kokë dhe tani do të sfidojë Francën kampione bashkë me shokët e tij. Një nga pikat më të forta të “Luanëve të Atlasit” është Selim Amallah, mesfushori që ndodhet nën kontratë me Standard Liege.
26-vjeçari me baba maroken dhe mama italiane, ka lindur dhe është rritur në Belgjikë, shtet ku jeton një komunitet i madh maroken. Edhe pse e nisi shumë mirë sezonin me Standardin (4 gola dhe një asist në 9 ndeshje), Amallah e ka zhvilluar më 30 shtator ndeshjen e fundit me ekipin belg!
Shkaku? Ai ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe nuk ka pranuar rinovimin. Drejtuesit e Standardit janë “hakmarrë” duke e përjashtuar nga lista e lojtarëve që klubi dërgoi në Federatë me emrat që mund të marrin pjesë në kampionat.
Gjithsesi, trajneri Hoalid Regragui e mori me vete në Katar dhe mesfushori modern, i cili bën mirë të dy fazat e lojës, po ia shpërblen me performanca shumë pozitive, ndërkohë që në muajin janar do ketë mundësinë të firmosë një parakontratë me klubin e ardhshëm.