Cristiano Ronaldo pati vetëm dhjetë prekje në ndeshjen që solli eliminimin e Portugalisë nga Kupa e Botës kundër Marokut. Youssef El-Nesyri shënoi golin e fitores dhe i dhuroi gjysmëfinalen afrikanëve.
Ishte një rezultat tronditës, me shumicën që parashikuan kualifikimin e Portugalisë, veçanërisht pas fitores 6-1 kundër Zvicrës në 1/8-at. Megjithatë, ata nuk arritën të krijonin shumë raste dhe dëshpërimi për të gjetur golin e barazimi solli aktivizimin e Ronaldo-s në minutën e 51-të.
Por sulmuesi aktualisht pa ekip nuk arriti të bënte diferencën dhe pati vetëm 10 prekje të topit gjatë kohës së tij në fushë. Ai gjithashtu tentoi vetëm pesë pasime – me vetëm tre prej tyre të sakta.
Momenti më i mirë i Ronaldo-s erdhi kur ai bëri një goditje në portë në minutën e 91-të. Gjuajtja e tij e parë dhe e vetme drejt portës u ndal nga Yassine Bounou.
Në fund, Ronaldo nuk arriti të shmangte disfatën e Portugalisë dhe u largua në lot nga fusha. Ai shkoi drejt dhomave të zhveshjes me pamjen e një njeriu që e dinte se ishte ndoshta shansi i tij i fundit për të fituar lavdinë në Kupën e Botës.
Gjatë turneut, pati shumë diskutime për lënien e tij në stol, me të dashurën Georgina Rodriguez që kritikoi vendimin e trajnerit. Por tekniku i Portugalisë, Fernando Santos, deklaroi se nuk ishte aspak i penduar që e la Ronaldo-n në stol kundër Marokut.