Huazim me detyrim blerje me kusht, dhe kushti është qëndrimi në Serinë A. Kjo është formula e tregut me të cilën Monza ka ndërtuar një pjesë të skuadrës saj dhe të cilën Adriano Galiani mund ta ripërdorë së shpejti për t’i dhënë Rafaele Paladinos, trajnerit të ekipit, një mbrojtës të ri. Fjala është për Berat Gjimshitin, i cili shihet si një alternativë nga ekipi i sapongjitur në Serinë A.
Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, klubi “Brianza” po mendon të ndjekë këtë rrugë për të “mposhtur” mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, i cili për shkak të një frakture në fibul, pjesën e parë të sezonit gjeti shumë pak hapësirë dhe sot, është në pozitën që duhet të gjejë kohë për të luajtur diku tjetër.
Sipas mediave pranë Atalantës, Gjimshiti mund të përshëndesë bergamaskët në muajin janar. Monza e Galianit e pëlqen shumë mbrojtësin, i cili gjithashtu është i përshtatshëm me sistemin që luan klubi, me tri qendra mbrapa, i njëjti sistem që aplikon edhe Gasperini tek Atalanta.
SITUATA- Gjimshiti mund të jetë një përforcim me shumë vlera për Monzën dhe një siguri më tepër për qëndrimin në Serinë A.
Nëse flasim për kalimin me formulën e lartpërmendur, atëherë shanset janë të mëdha duke u nisur nga marrëdhëniet e mira që kanë të dyja klubet, kujtojmë këtu transferimin e Mateo Pesinës, shkruan Panorama Sport.
Ndërkohë këtu mund të përfshihet edhe një tjetër lojtar, me mbrojtësin Karlos Augusto të Monzës, i cili pëlqehet nga Gasperini.
Skema e huazimit është e përshtatshme pasi 29- vjeçari është në kontratë deri në vitin 2026-të me Atalantën.
Në këtë sezon mbrojtësi shtatlartë ka luajtur vetëm 5 takime me një total prej 342 minutash, ndërkohë me Kombëtaren ka luajtur për herë të fundit në qershor, në sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit.