Mac Allister po përjeton një moment fantastik në karrierë, pasi tashmë është në qendër të merkatos.
Pasi bëri një nisje shumë të mirë kampionatit në Premier League, mesfushori i Brighton tani po tregon vlerat e tij edhe në Katar, me Argjentinën.
Forma e treguar nga 23-vjeçari deri më tani ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave në kontinentin e vjetër dhe mediet spanjolle bëjnë me dije se për Alexis interesohen disa ekipe dhe jo vetëm në Spanjë.
Fillimisht, bëhet fjalë për Atletico Madrid me trajnerin Simeone, i cili ka shfaqur simpati për mesfushorin dhe pritet që ai dhe klubi të bëjnë përpjekjen e parë në muajin janar gjatë merkatos së dimrit.
Në “ishull”, skuadra më e interesuar për argjentinasin është Tottenham, me Antonio Conte-n që kërkon të përforcojë repartin e mesfushës dhe Mac Allister i plotëson të gjitha kriteret që kërkon trajneri italian.
Në fund, Serie A. Juventus dhe Inter gjithashtu janë potencialisht në garë për kartonin e Mac Allister, por gjithçka do të varet nga dëshira e mesfushorit, pasi ai tashmë është ambientuar me kampionatin anglez dhe burime pranë lojtarit tregojnë se dëshira e tij mbetet Premier League.
Alexis u bashkua me Brighton në verën e vitit 2019 dhe deri më tani numëron 86 ndeshje dhe 13 gola, ndërsa në Katar, ai realizoi golin e parë me përfaqësuesen kundër Polonisë në fazën e grupeve, ndërsa së bashku me Argjentinën ai do të luajë në gjysme-finale ndaj Kroacisë, me misionin për të prekur finalen e madhe të këtij edicioni.