Gjysmëfinalja e parë e Kampionatit Botëror të futbollit që po zhvillohet në Katar do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 ku do të ballafaqohen Argjentina me Kroacinë.
Kjo do të jetë përballja e gjashtë ndërmjet këtyre dy kombëtareve në historinë e tyre, derisa po kërkojnë të rrëmbejnë trofeun më të lavdishëm të futbollit në botë.
Për herë të parë, Argjentina dhe Kroacia u ballafaquan më 4 qershor të vitit 1994 në një ndeshje miqësore e cila përfundoi me barazim pa gola (0-0), për t’u ndeshur sërish katër vite më vonë, më 1998 në Kupën e Botës, ndeshje të cilën argjentinasit e fituan me rezultat 1-0.
Pastaj në sfidën e radhës, të zhvilluar me 1 mars të vitit 2006 me karakter miqësor, Kroacia e mposhti Argjentinën me rezultat 3-2.
Nëntori i vitit 2016 solli miqësoren tjetër ndërmjet këtyre dy kombëtarëve e cila i takoi Argjentinës e cila triumfoi me rezultat të ngushtë 2-1.
Përballja e fundit u zhvillua para katër viteve, kur më 21 qershor 2018 Kroacia e mposhti Argjentinën në Kupën e Botës me rezultat 3-0.