Kombëtarja e Argjentinës e siguroi sot biletën drejt finales së Kampionatit Botëror “Katar 2022”, pasi që e eliminoi Kroacinë në gjysmëfinale.
Argjentina e fitoi ndeshjen kundër Kroacisë me rezultat bindës 3:0, ku shkëlqyen Lionel Messi me një gol e një asistim, dhe Julian Alvarez me dy gola.
Messi tani gjendet vetëm një ndeshje larg që të përmbush ëndrrën e tij dhe ta ketë trofeun e Kupës së Botës në sirtarin e sukseseve të tij.
Pas ndeshjes, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni foli për Messin, duke e cilësuar superyllin si lojtarin më të mirë të gjitha kohërave.
“Unë mendoj se nuk ka dyshim se Messi është më i miri në histori. Duket se e themi sepse jemi argjentinas, por jo. Sa herë që luan, prodhon diçka. Është privilegj që ai vesh bluzën e bardhë dhe të kaltër të çelur”, tha Scaloni pas ndeshjes.
Argjentina tani është në finale të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ku atje e pret fituesin e përballjes së nesërme mes Francës e Marokut.