Kupa e Botës ka përfunduar për Portugalinë dhe tashmë yjet e saj, disa janë kthyer në vendlindje, e disa të tjerë po shijojnë pak ditë pushime përpara se të nisin aktivitetin me klubet e tyre. Por ka dhe nga ata, si puna e Kristiano Ronaldos, për shembull, që është ende në kërkim të një skuadre të re.
Largimi nga Mançester Junajtid e ka bërë atë një lojtar të lirë dhe që mund të firmosë me çdo klub, duke nisur nga 1 janari 2023.
Për momentin nuk ka asnjë emër konkret, përjashto Arabinë Saudite, të cilën Ronaldo e ka refuzuar kur ishte i angazhuar me kombëtaren e vendit të tij në Katar.
Kjo situatë e paqartë e portugezit ka bërë që tensioni ndërmjet tij dhe agjentit të vet, Zhorzh Mendesh të rritet ndjeshëm. Të paktën kështu ka raportuar e përditshmja spanjolle “AS”.
Kjo nuk është hera e parë që mes të dyve situata tensionohet. Një episod i ngjashëm mes të dyve ndodhi kur Kristiano vendosi të largohej nga Juventusi për t’u kthyer në Mançester.
Në fund ata ia dolën ta kapërcenin ngërçin mes tyre. Por këtë herë problemet duken më të mëdha. Së pari, sepse vitet po kalojnë për Ronaldon (shumë shpejt do të mbushë 38 vjeç) dhe përtej dëshirës së tij për të qëndruar në kampionatet elitare dhe me klube elitare, Mendesh po has vështirësi për t’i gjetur sistemimin e duhur.
Një tjetër pengesë janë kërkesat mjaft të larta financiare të Ronaldos. Kjo i tremb jo pak klubet për t’iu afruar atij. Edhe pse mjaft klube të rëndësishëm do ta dëshironin në skuadër luzitanin, investimi i miliona eurove për një 38-vjeçar shihet me mjaft risk.
Cristiano Ronaldo nga ana e tij vijon të jetë aktiv në rrjetet sociale. Këtë herë ai i ka rënë më shkurt, por mesazhi ka qenë domethënës; pas çdo rrëzimi vjen ngritja.
“Kështu është jeta, dhimbje, paqartësi dhe shumë punë”, ka shkruar luzitani.
Portugalia – Ndërkaq, mediat portugeze dhe jo vetëm, kanë konfirmuar se Kristiano Ronaldo nuk ka ndër mend të largohet nga ekipi kombëtar.
Sipas tyre, sulmuesi 37- vjeçar ka vendosur të qëndrojë në shërbim të Portugalisë deri në Europianin e vitit 2024.
Në fakt, vetë Ronaldo e kishte lënë të nënkuptohej se dështimi në Botëror nuk i kish vënë kapak karrierës së tij me Portugalinë. Dhe tashmë gjasat janë që ai do të vazhdojë.