Franca do të jetë në finalen e Kupës së Botës, e dyta radhazi. Skuadra e Deschamps mundi 2-0 Marokun dhe do të përballet të dielën në finale me Argjentinën .
Protagonist i madh i ndeshjes ishte Theo Hernandez , autori i golit të parë pas vetëm pesë minutash lojë. Në fund të ndeshjes, mbrojtësi francez i Milanit ka dhënë një intervistë për mikrofonat e “TF1”.
Theo Hernandez tha se ishte shumë i lumtur për kalimin në fine:
"Është e pabesueshme. Të luash dy finale radhazi është e pabesueshme. Bëmë një punë të shkëlqyer, ishte e vështirë.", tha ai.
Më pas, mbrojtësi i krahut u ndal te ndeshja e së dielës kundër Argjentinës:
“Finalja kundër Argjentinës e dimë se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, do të punojmë shumë për ta fituar këtë finale. Mendoj shumë për vëllain tim, shpresoj që ai të jetë aty. Është e pabesueshme, do të përfitoj nga koha me familjen time, të gjithë lojtarët dhe gjithashtu trajnerin”, shtoi ai.
Finalja ndërmjet Argjentinës dhe Francës do të zhvillohet të dielën.