Kampionati Kombëtar i futbollit për vajza U-16 ka ngritur siparin e sezonit të dytë dhe ka zhvilluar dy javët e para në të dyja grupet përkatëse.
Ashtu sikurse në kampionatin elitë, Vllaznia kryeson renditjen e grupit A në kampionatin U-16 për vajza. Në dy takimet e para, shkodranet kanë marrë pikët maksimale, duke fituar ndaj Elbasanit e Kinostudios. Ndërkaq, Elbasani renditet në vendin e dytë me tre pikë, po aq sa edhe Tirana e vendit të tretë. Në këtë grup nuk janë luajtur të gjitha ndeshjet, por do të zhvillohen deri në fundin e këtij viti.
Grupi A
Ndeshjet e javës së dytë
Vllaznia 3-0 Kinostudio
AFF Elbasani 6-1 KF Teuta
Renditja aktuale
Vllaznia 6 pikë
AFF Elbasani 3 pikë
Tirana 3 pikë *
KF Egnatia 0 pikë *
Kinostudio 0 pikë *
KF Teuta 0 pikë *
Në grupin B, Apolonia gjendet në krye të klasifikimit pas dy javësh, me dy ndeshje të fituara me goleada kundër Kukësit dhe Pogradecit. Ndërkaq, në vendin e dytë renditet Vlora, që ka marrë një fitore në javën e parë kundër Lushnjes e në ndeshjen e javës së dytë, vlonjatet nuk shkuan më shumë se barazimi kundër Skënderbeut. Lushnja e Pogradeci renditen në vendin e tretë e të katërt pas dy javësh, duke marrë nga tre pikë, ndërsa Skënderbeu ka marrë vetëm një pikë në dy javë. Ndërkaq, ekipi i krijuar rishtaz këtë edicion, Bylis, renditet në vendin e fundit me 0 pikë.
Grupi B
Ndeshjet e javës së dytë:
Apolonia 4-0 Pogradeci
Skënderbeu 1-1 FC Vlora
Bylis 0-5 Lushnja
Renditja aktuale
Apolonia 6 pikë
FC Vlora 4 pikë
Lushnja 3 pikë
Pogradeci 3 pikë
Skënderbeu 1 pikë
Bylis 0 pikë
Ky kampionat është i organizuar në dy grupe, A dhe B dhe ku secili grup është i përbërë nga gjashtë skuadra. Në grupin A bëjnë pjesë: Vllaznia, AFF Elbasani, Tirana, KF Egnatia, Kinostudio, Teuta, ndërsa në grupin B: KF Skënderbeu, Lushnja, Pogradeci, Apolonia, Bylis dhe FC Vlora. Gara do të zgjasë për 10 javë, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe në fund, dy skuadrat e renditura më mirë në secilin grup do të kalojnë në fazën play-off, ku do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale dhe në fund finalja që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni.
Edicioni i dytë i kampionatit U-16 për vajza vjen falë bashkëpunimit të shkëlqyer të FSHF-së, me klubet e futbollit në Shqipëri, por edhe me shkollat 9-vjeçare, nga ku dalin edhe talentet e reja që bëhen pjesë e ekipeve të këtij kampionati.