Do të jenë 12.800 policë dhe xhandarë që do të mobilizohen ditën e shtunë në të gjithë Francën për ndeshjen Kroaci-Marok, e vlefshme për vendet 3-4 në botërorin Katar 2022. Ndërsa të dielën, për finalen Francë-Argjentinë, numri i forcave të rendit do të shkojë në 14 mijë vetë.
Lajmi konfirmohet nga policia franceze, që ka edhe një plan masash për të parandaluar incidente në rrugët e Parisit dhe të gjithë vendit.
Bulevardi i famshëm i “Champs-Elyse’es” do të jetë i hapur ditën e shtunë, por të dielën do të mbyllet dhe nuk do të lejohet qarkullimi i makinave.
Bulevardi do të jetë tërësisht për këmbësorët ditën e diel, me shpresën që francezët, ashtu sikurse 4 vite më parë, të kenë mundësi të festojnë titullin kampion bote. Pas triumfit në Rusi, 600 mijë francezë zbarkuan në rrugë e Parisit për të festuar, ndaj masat e marra janë ekstreme.