Ademi: Mili ishte zëri simbol i radiotransmetimeve të futbollit

Futboll

Ademi: Mili ishte zëri simbol i radiotransmetimeve të futbollit

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 23:28
Ademi

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është i pikëlluar me ikjen e hershme në amshim të komentatorit sportiv, Milaim Krasniqi.

"Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Milaim Krasniqi, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.

Milaim Krasniqi i dha shumë gazetarisë sportive e bashkë me të edhe futbollit të Kosovës. Ai ishte zëri kumbues i futbollit kosovar që nga ditët e para të pasluftës nëpërmjet valëve të radios.

Ai nisi me radiotransmetime në Radion Kosova e Lirë, për të vazhduar më pas në Radio Rilindja dhe për të vazhduar traditën e transmetimeve në Radio Kosova, aty ku punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Mili ishte zëri simbol i radiotransmetimeve të futbollit për më shumë se dy dekada. Ishte pjesë e çdo suksesi të klubeve tona, por edhe i Kombëtares së Kosovës.

Ai ishte përplot pozitivitet e vizion. Ishte i lindur për të qenë komentator sporti. Mënyra se si e përçonte emocionin e një ndeshje futbolli tek dëgjuesit e radios ishte sa e veçantë, por aq e papërsëritshme. Thjesht ishte mjeshtër i mikrofonit.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe për gazetarinë sportive.

Ai pas vetës la një arkiv të pasur radiotransmetimesh, emisionesh e spektaklesh sportive e argëtuese. Milaimi ishte i gjithanshëm, intelektual e me virytete të larta.

Në këto momente të vështira qëndrojmë afër familjes Krasniqi dhe tërë kolegëve e miqve të tij.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!", shpreh ngushëllime Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat