Paraqitjet fantastike të Lionel Messit në Kupën e Botës “Katar 2022” kanë treguar evolucion të madh të sportit modern, sipas ish-trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger.
Wenger e bëri këtë vëzhgim ndërsa bisedonte së bashku me legjendën gjermane, Jurgen Klinsmann në një konferencë shtypi për Grupin e Studimit Teknik të FIFA-s.
Turneu në Katar ka parë një numër lojtarësh më të vjetër të jenë në rolet kryesore për kombëtaret e tyre, me 35-vjeçarin Lionel Messi që do të udhëheqë kombëtaren e tij, Argjentinën kundër Francës në finalen e Kupës së Botës.
Luka Modric, 37 vjeçar, impresionoi me paraqitjet e tij për Kroacinë me të cilën arriti gjysmëfinalen, kurse Olivier Giroud pritet që të udhëheqë sulmin e Francës të dielën, pasi që e theu rekordin e Thiery Henrys si golashënuesi më i mirë i kombëtares franceze në moshën 35 vjeçare.
Në anën tjetër, 19 vjeç Jude Bellingham ishte njëri nga lojtarët kyç të Anglisë në rrugëtimin deri në çerekfinale, dhe Kylian Mbappe, në moshën 23 vjeçare mund të bëhet lojtari më i ri që fiton dy finale të Kupës së Botës, që nga koha e Peles, nëse Franca fiton kundër Argjentinës.
Wenger ndjen se kjo Kupë e Botës është duke demonstruar se si sporti modern është duke avancuar, me teknologjinë e re që po i ndihmon pjesëmarrësit për të zgjatur karrierat e tyre.
“Kam drejtuar Arsenalin në vitin 2006 kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve dhe Messi veçse kishte filluar të luajë. Ishte viti 2006 dhe tani jemi në vitin 2022, kjo i bie 16 vjet ndërmjet dhe ai ende është në garë për ta fituar çmimin e lojtarit më të mirë të turneut. Ky turne e tregon më së miri revolucionin e sportit modern”, tha Wenger.
“Ky turne është turneu i lojtarëve të rinj të cilët janë të gatshëm herët e më herët në nivelin më të lartë të sportit, dhe gjithashtu edhe turneu i lojtarëve të cilët zgjasin shumë e më shumë se kurrë. Nuk kemi përjetuar një Kupë të Botës me një 35 vjeçar që është dominues, por kemi edhe Giroud, Messi, Modric, lojtarë dominues në këtë turne. Kjo gjë tregon se pavarësisht negativitetit për shëndetin e lojtarëve, jeta e një top lojtari zgjatë më shumë. Ata janë të gatshëm herët dhe e përfundojnë karrierën më vonë”, shtoi më tej Wenger.
Finalja e së dielës ka të ngjarë të jetë shansi i fundit për Messin për të marrë në dorë Kupën e Botës, trofeun që i ka shpëtuar për kaq shumë kohë, duke përfshirë një humbje zemërthyese në kohën shtesë ndaj Gjermanisë në finalen e 2014.