Ferizaj ka filluar përgatitjet për pjesën pranverore të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Nuk ka pushim për futbollistët e Ferizajt, kur kihet parasysh edhe rrethanat ku gjenden në renditjen e tabelës përkatësisht në fund me 13 pikë të mbledhura.
“Sot skuadra jonë ka filluar përgatitjet për sezonin pranveror nën udhëheqjen e trajnerit, Andrej Panadiç.
Përgatitjet do të ndahen në dy faza, ku deri më datë 20 janar do të zhvillojmë stërvitjet në terrenin e Stadiumit të Qytetit në
Ferizaj, pastaj nga data 20 janar do të zhvendosemi në Maqedoninë e Veriut, në qendrën e Dojranit për fazën finale para fillimit të kampionatit.
Pjesa pranverore e kampionatit fillon më datë 11 shkurt, skuadra jonë vazhdon të jetë aktive edhe në afrimin e lojtarëve të rinj, ku deri tash veçse i kemi mbyllur disa marrëveshje, e për të cilat do të njoftoheni në ditët në vazhdim”, njofton FC Ferizaj.