Drejtuesit e Arsenal e njohin mirë potencialin e Gabriel Martinellit dhe nuk kanë ndërmend ta humbasin brazilianin teksa palët janë në bisedime të avancuara për të rinovuar kontratën e sulmuesit anësor që përfundon në vitin 2024.
21-vjeçari është rritur ndjeshëm në performancat e tij përgjatë vitit të fundit dhe tashmë është shndërruar në një element kyç për organikën e trajnerit Mikel Arteta.
Aktualisht, sulmuesi përfiton 70.000 paund në javë, por pritet që me rinovimin e kontratës, Martinelli të përfitojë 200.000 paund në javë dhe automatikisht do të shndërrohej në një prej lojtarëve më të mirëpaguar në rradhët e “topçinjve”.
Deri më tani, Martinelli regjistron pesë gola dhe dy asiste me fanellën e Arsenal në Premier League ndërsa pritet të marrë më shumë përgjegjësi edhe pas dëmtimit të Gabriel Jesus. Martinelli është pjesë e Arsenal prej vitit 2019, kohë kur londinezët e transferuan nga klubi brazilian i Ituanos.