Zinedin Zidan është pak më afër Juventusit. E ardhmja e “Zizu” dukej e vulosur pas Botërorit 2022 në Katar, aq më tepër me humbjen e Francës në finale.
Stoli i Deshampit dukej komod për të vazhduar një karrierë fitimtare edhe në kombëtare, por mesa duket, për të dytën herë me radhë, Federata Franceze e Futbollit driblon Zidanin, njësoj siç bënte Zinedin me rivalët e tij në fushën e lojës.
Nëse vetë presidenti i vendit, Makron, e bëri hapur apelin në dhomat e zhveshjes se Deshamp është trajneri i duhur për të vazhduar te Franca, Lë Grë nuk ka se si të mos zbatojë “urdhrin” dhe tani “Zizu” mbetet sërish në kërkim të një skuadre për të vazhduar karrierën e tij.
Pas 3 Championseve me Realin e Madridit në stol, ai ishte ëndrra e madhe e presidentit të larguar të Juventusit, Andrea Anjeli, por kjo nuk do të thotë se miliarderi torinez e ka humbur peshën e vendimmarrjes te kushëriri i tij, Xhon Elkan.
Për këtë arsye, si asnjëherë më parë, “Zonja e Vjetër” ka mundësinë që të kthejë në shtëpi fantazistin e madh dhe me klasin e tij të provojë të rindërtojë një skuadër, e cila të synojë Champions-in, siç bëri lehtësisht Zidan në Madrid.
Pengesat e vetme në pritje të sezonit të ardhshëm për Juventusin nuk është se janë nga ato që trembin. PSG-ja është refuzuar disa herë nga Zidan, ndërsa në Angli Çelsi duket e vetmja që ka nevojë për një trajner të kalibrit të tij.
Kjo, gjithmonë nëse Ten Hag nuk rezulton një dështak te Mançester Junajtid, edhe pse “Djajtë e Kuq” u refuzuan zyrtarisht nga trajneri francez verën që lamë pas.
Madje, e përditshmja prestigjioze “L’Equipe” garanton nga burime pranë Zinedin Zidanit, se tani edhe vetë 50-vjeçari e sheh Torinon si mundësinë e tij të vetme interesante, për të rinisur të stërvisë dhe fakti që pozitat e Masimiliano Alegrit nuk janë aspak të sigurta tashmë që Andrea Anjeli ka paraqitur dorëheqjen, Zidan mund të nisë të flasë qetë dhe të studiojë së bashku me kryefinancierin e familjes Anjeli, Xhon Elkanin, planin e tij për një Juventus europian dhe kandidat për të synuar Ligën e Kampioneve.